Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë në opozitë, ka deklaruar kryetari i saj, Bedri Hamza, pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Hamza tha se biseda me Kurtin ishte korrekte dhe se PDK-ja i uron sukses në përpjekjet për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit.
“Bazuar në bisedat dhe diskutimet që kemi pasur, qëndrimi ynë është se PDK-ja për këtë mandat është parti në opozitë. I dëshirojmë sukses zotëri Kurtit dhe të gjithë atyre që angazhohen për t’i dhënë vendit institucione funksionale”, tha Hamza.
Ai theksoi se në Kuvendin e Kosovës, përveç PDK-së, janë edhe deputetë të tjerë me të cilët mund të arrihet kompletimi i institucioneve.
“Përveç PDK-së, në Kuvendin e Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë dhe matematikisht mund të bëhet kompletimi i të gjitha institucioneve”, u shpreh Hamza.
Sipas tij, PDK-ja do të ketë një rol konstruktiv si parti opozitare dhe do të mbështesë çështjet që janë në interes të vendit.
“Do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit për çështjet që janë në interes të qytetarëve të Kosovës. Vota e PDK-së do të jetë pro për marrëveshjet financiare dhe çështje të tjera që kërkojnë dy të tretat e votave”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Hamza tha se përgjegjësia kryesore për formimin e institucioneve i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si partia me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
“LVV-ja duhet të gjejë partner sipas nevojave dhe kritereve të saj për t’i dhënë vendit institucione. Të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV-në”, deklaroi Hamza.
Ndërkohë, Albin Kurti ka zhvilluar takime edhe me liderë të partive të tjera politike, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja.
Rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si partinë e parë me 53 ulëse në Kuvend, e ndjekur nga PDK-ja me 22 ulëse, LDK-ja me 18 ulëse dhe Aleanca me 7 ulëse. Komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.


