Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s që po mbahet në Ankara, duke vlerësuar se vendi po humb mundësi të rëndësishme për avancimin e interesave të tij strategjike.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se, derisa Kurti ndodhet në Greqi, një shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke marrë pjesë në simpoziume filozofike, në Ankara po zhvillohet një samit ku Kosova, sipas tij, do të duhej të ishte duke forcuar partneritetet me aleatët dhe duke hapur rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Sipas Haradinajt, qeveria aktuale po humb mundësi të rëndësishme diplomatike, ndërsa me veprimet e saj po krijon përçarje dhe tensione në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të lejojë, sipas tij, dëmtimin e marrëdhënieve strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as rritjen e ndikimit rus në vend.
“Nuk do ta lejojmë që ky vend të kthehet prapa. Nuk do ta lejojmë që të dëmtohet aleanca jonë me Amerikën. Nuk do të lejojmë që ndikimi rus të gjejë hapësirë në Kosovë. Kosova e ka vendin në familjen euroatlantike, krah Amerikës, e cila ka qëndruar pranë nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë”, ka shkruar Haradinaj.
Deklarata e tij vjen në kohën kur në Ankara po zhvillohet Samiti i NATO-s, ku në fokus janë siguria euroatlantike, sfidat globale dhe bashkëpunimi mes vendeve aleate.


