Ia vodhi kuletën me 7500 euro mbi tavolinë në një kafiteri, policia e arreston sot në banesën e tij, ia gjen 6300 euro

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur pardje brenda stacioni të autobusëve në veri të Mitrovicës ku një burrit i ishte vjedhur kuleta mbi tavolinë derisa po qëndronte në një kafiteri. Në kuletë ai kishte pasur 7500 euro, njoftoi policia.

Autori i vjedhjes u identifikua dhe u arrestua në banesën e tij ku iu gjetën 6300 euro.

“Ngjarja ka ndodhur në Mitrovicë Veri, derisa ankuesi kishte qenë së bashku me një person në një kafiteri brenda objektit të Stacionit të Autobusëve dhe një person i dyshuar me shpejtësi ia kishte marrë portofolin dhe një kuvertë të cilat i kishte mbi tavolinë, e në të cilën kuvertë kishte pasur 7500 Euro dhe ishte ikur në drejtim të panjohur.  Pas një pune hetimore, njësitë policore në kuadër Stacionit policor Mitrovicë Veri kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar dhe të njëjtin e kanë arrestuar në banesën e tij. Gjatë kontrollit të banesës janë gjetur dhe sekuestruar 6300 Euro”, tha policia në njoftim.

Policia tha se të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të shtetit dhe në koordinim me të rasti është kualifikuar “Vjedhje e rëndë”, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

“Policia mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e të gjithë atyre që kryejnë apo tentojnë të kryejnë vepra penale”.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU