No menu items!

Indeksi Global i Drejtësisë, Kosova më e mira në rajon – Shqipëria më së keqi

Edhe pse Shqipëria ka bërë një reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, duke vënë në funksion institucione të reja dhe një proces të gjatë vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët, Shqipëria bëri hapa pas në Indeksin Global për sundimin e ligjit në vitin 2020 i publikuar nga “World Justice Project”, një institut ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara, i fokusuar për kërkime në fushën e ligjit.

Në indeksin global të vitit 2020 që përfshiu 128 vende, Shqipëria u rendit në vendin e 78, për cilësinë e funksionimit të drejtësisë duke u përkeqësuar në renditje me 4 vende në raport me vitin 2019.

Gjithashtu në vlerësimin total Shqipëria mori 0.5 pike me një rënie 0,01 në krahasim me vitin 2019. Vlerësimi është bërë nga 0 tek 1, ku më afër zeros nënkupton vlerësim të dobët dhe afër 1 vlerësim të lartë.

Shqipëria kishte renditjen më të keqe në Rajon dhe gjithashtu kishte përkeqësimin më të lartë të indeksit nga vendet e tjera në raport me vitin 2019.

Serbia u rendit në vendin 75 dhe u përmirësua me 5 vende në raport me vitin 2019.

Bosnja u rendit në vendin e 64 me një përkeqësim dy vende në krahasim me vitin 2019.

Maqedonia u rendit në vendin e 58 me përkeqësim 1 vend në raport me vitin paraardhës.

Renditen më të mirë në Rajon e kishte sistemi i drejtësie në Kosovë, duke u renditur në vendin e 54 nga 128 vendet në studim duke ruajtur të njëjtin pozicion si në vitin 2019. Nga vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore Shqipëria kishte përkeqësimin më të madh në cilësinë e sistemit të drejtësisë në vend gjatë vitit 2020.

Shqipëria mori pikë shumë të ulëta në luftën ndaj korrupsionit, në të cilën u rendit në vendin e 100 në 128 vende dhe gjithashtu vlerësim të ulët mori shërbimet qeveritare në fushën e drejtësisë. Drejtësia dhe zbatimi i ligjit nga ana e qeverisë mori 0.45 dhe në këtë drejtim Shqipëria u rendit në vendin 96 në 128 vende.

Vlerësimet më të larta Shqipëria i mori në fushën e rendit dhe sigurisë publike, ku vendi ynë u rendit i 36-ti, dhe të drejtat e njeriut ku i rendit i 54-ti.

Sipas indeksit, në dhjetë vendet e para, për cilësinë e lartë të funksionimit të drejtësinë vijnë Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Suedia, Holanda, Gjermania, Zelanda e Re, Austria, Kanadaja dhe Estonia.

Ndërsa në anën tjetër të shkallës, me sistemin më të dobët të Drejtësisë vijnë Kamboxhia, Congo, Egjipti, Kameruni, Mauritania, Afganistani, Bolivia dhe Pakistani./Monitor

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU