Ismajl Kasumi rikthen kujtimet nga viti 1999: Fotografi që dëshmojnë sakrificën dhe shpresën pas luftës

Një fotografi e ruajtur në arkivë ka rikthyer emocione të veçanta për zhytësin e njohur kosovar, Ismajl Kasumi. Pamjet, të publikuara nga Ridvan Slivova, datojnë nga viti 1999 dhe janë realizuar në Banjë të Malishevës, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Në statusin e tij në Facebook, Kasumi e cilësoi publikimin e fotografive si një befasi të këndshme, duke kujtuar një periudhë të vështirë, por të mbushur me shpresë për një fillim të ri.

“Ishim për zhytje, në kuadër të angazhimeve dhe trajnimeve të asaj kohe, kur çdo hap kishte domethënie të veçantë për të ardhmen. Në këto pamje jam me dy thesaret e jetës sime, Besartin dhe Trierën, atëherë ende fëmijë, por sot krenaria ime më e madhe”, ka shkruar Kasumi.

Sipas tij, këto fotografi mbeten dëshmi e një kohe të rëndë, e sakrificës dhe e forcës për të vazhduar përpara.

Ismajl Kasumi njihet si një nga pionierët e zhytjes në Kosovë. Pasioni i tij për botën nënujore daton që nga fëmijëria, ndërsa viti 1970 konsiderohet si pika e kthesës në jetën e tij, kur nisi rrugëtimin për t’u bërë një nga zhytësit e parë profesionistë në vend.

Gjatë dekadave të veprimtarisë së tij, Kasumi ka marrë pjesë në misione të shumta shpëtimi, duke kontribuar në shpëtimin e jetëve njerëzore në liqene, lumenj dhe ujëra të tjera, por edhe në kërkimin dhe nxjerrjen e viktimave në raste tragjike.

Për shumëkënd, ai mbetet simbol i humanizmit dhe përkushtimit, një njeri që ka vënë aftësitë e tij në shërbim të qytetarëve në momentet më të vështira.

Fotografitë e vitit 1999 nuk paraqesin vetëm një kujtim familjar, por edhe një dëshmi të një periudhe historike, kur Kosova po ndërtonte rrugën e saj drejt së ardhmes, ndërsa njerëz si Ismajl Kasumi vazhdonin të kontribuonin me përkushtim në shërbim të shoqërisë./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU