Izraeli ka emëruar si drejtues te ri të agjencisë së inteligjencës Mossad, gjeneralmajorin Roman Gofman, i cili mori zyrtarisht detyrën gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës të mbajtur në selinë e kësaj organizate, duke u bërë kështu drejtuesi i 14-te i saj.
Kryeministri Benyamin Netanyahu e uroi Gofmanin për emërimin, duke vlerësuar kontributin e tij si sekretar ushtarak i shefit të qeverisë dhe aftësitë e tij drejtuese.
“Mossadi do të vazhdojë të jetë në vijën e parë të luftës sonë kundër agresionit iranian. Ne nuk do të lejojmë regjimin iranian të kthejë pas orën e historisë. Nuk do ta lejojmë të sigurojë armë bërthamore dhe as të kërcënojë ekzistencën tonë”, deklaroi Netanyahu, transmeton KosovaPress.
Nga ana e tij, drejtori i ri i Mossadit falënderoi paraardhësin e tij David Barnea për udhëheqjen e organizatës dhe iu drejtua stafit të agjencisë, duke e cilësuar atë si “zërin e qetë dhe të fuqishëm të Shtetit të Izraelit dhe popullit hebre”.
Gofman tha se ndryshimet strategjike të shkaktuara ndaj boshtit iranian kanë ndryshuar balancat e fuqisë në rajon, por theksoi se puna e Mossadit nuk ka përfunduar ende.
Ndërkaq, drejtori në largim David Barnea vlerësoi punën e personelit të organizatës, duke theksuar gatishmërinë e tyre për t’u përballur me sfida të reja dhe misione të vështira.
Roman Gofman, që ka prejardhje nga Bjellorusia, e merr detyrën pas shërbimit si sekretar ushtarak i kryeministrit dhe pas rreth 31 vjetësh karrierë ushtarake në poste të larta drejtuese. /KosovaPress





