Kallas: BE-ja po përgatit paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, propozohet ndalim vizash për ushtarakët rusë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, ka njoftuar se BE-ja po përgatit paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, me synimin për të goditur më tej ekonominë që financon luftën në Ukrainë.

Në një seri postimesh në rrjetin social X, Kallas tha se Bashkimi Evropian po vazhdon të forcojë presionin ndaj Moskës.

“Tullë pas tulle po çmontojmë themelet e ekonomisë së luftës së Rusisë. Sot po paraqesim propozimet për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë”, deklaroi ajo.

Sipas Kallas, paketa e re përfshin ngrirjen e përkohshme të kufirit maksimal të çmimit të naftës ruse, si dhe vendosjen në listën e sanksioneve të institucioneve që Rusia i përdor për të siguruar të ardhura dhe për të anashkaluar masat kufizuese të BE-së.

Ajo bëri të ditur se sanksionet do të synojnë bankat, prodhuesit e armëve, tregtarët e naftës, rafineritë dhe operatorët e kriptovalutave në vendet e treta që ndihmojnë Rusinë në financimin e luftës kundër Ukrainës.

Kallas theksoi se në kuadër të kësaj pakete është propozuar grupi më i madh i emërimeve në listën e sanksioneve në më shumë se dy vjet, me mbi 170 propozime të reja, veçanërisht në sektorin financiar.

“Po i heqim Rusisë mjetet për të financuar luftën”, u shpreh ajo.

https://x.com/kajakallas/status/2064302073273827521?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E2064302073273827521%7Ctwgr%5E0d542dbd633d8682c6e3f2cf177ee197fbc7f9e6%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fkallas-be-ja-pergatit-paketen-e-21-te-te-sanksioneve-kunder-rusise-propozohet-ndalim-vizash-per-ushtaraket-ruse%2F

 

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU