Prishtinë, 19 Qershor 2025 – Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë jashtë funksionit në mënyrë të paplanifikuar, sot në orët e para të mëngjesit, rreth orës 00:30.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja është shkaktuar si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, ku ka reaguar sistemi mbrojtës i gjeneratorit, duke shkaktuar ndërprerjen automatike të zgjueses.
🔧 Probleme edhe në njësinë A5
Po ashtu, KEK bën të ditur se më 17 qershor 2025 është vërejtur humbje e ujit në kaldajë në njësinë A5. Kjo njësi është mbajtur në funksion nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipet teknike deri më 18 qershor, ora 00:02, kur është ndalur me qëllim të parandalimit të një avarie më të rëndë.
🛠️ Remont në njësinë A4
Ndërkohë, njësia A4 ndodhet në remont të planifikuar që nga data 16 maj 2025.
📣 KEK: Po ndërmerren të gjitha masat për rikthim në funksion
KEK thekson se është e përkushtuar në adresimin teknik të situatës, si dhe në vendosjen e një standardi të lartë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet operuese.
“Po ndërmarrim të gjitha masat teknike dhe organizative për rikthimin sa më të shpejtë të njësive në funksion, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë të sektorit energjetik,” thuhet në komunikatën e KEK-ut./Raporto24/