Podujevë / Durrës, 19 Qershor 2025 – Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një nga oficerët më të lartë të UÇK-së, Kadri Kastrati, ka kujtuar me krenari Ditën e Çlirimit të Podujevës, më 19 qershor 1999, duke ndarë me ndjekësit në Facebook disa nga momentet historike të atyre ditëve të lavdishme.
Zbulimi i pllakës përkujtimore në Qerret, Durrës
“Sot e zbuluam pllakën përkujtimore në bazën e UÇK-së në Qerret të Durrësit, e cila gjatë vitit 1998 ka shërbyer si qendër stërvitore,” – shkruan Kastrati.
Ai tregon se së bashku me eprorin Binak Gashi, kishin stërvitur në këtë bazë djemtë më të mirë të UÇK-së, të cilët më vonë udhëhoqën me sukses njësitë speciale në Zonat Operative të UÇK-së.
Mirënjohje për qytetarët e Qerretit
Në postimin e tij, gjenerali Kastrati shpreh falënderim të veçantë për mikpritjen dhe ndihmën që banorët e Qerretit i dhanë luftës sonë çlirimtare.
“Populli i Qerretit ishte krah nesh në ditët më të vështira – me mbështetje, strehim, ushqim dhe besë,” shkruan ai.
Homazhe për Heroin e Kombit Indrit Cara në Kavajë
Në kuadër të aktivitetit përkujtimor, Kadri Kastrati bëri homazhe në Kavajë, përpara shtatores së Heroit të Kombit, Indrit Cara, i rënë në altarin e lirisë gjatë luftës në Kosovë.
“Liria jonë është e shkruar me gjakun e më të mirëve,” theksoi Kastrati në përfundim të postimit.
Lavdi të përjetshme UÇK-së! Nder dhe respekt për brezin që solli lirinë!
19 Qershori i vitit 1999 shënoi çlirimin e Podujevës – një ndër qytetet që vuajti shumë, por që edhe kontribuoi heroikisht në luftën për liri./Raporto24/