Kërcënohet ministri në detyrë Elbert Krasniqi, rasti kalon në hetim te Krimet e Rënda

Ministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Elbert Krasniqi, ka raportuar në Polici se është kërcënuar nga një person ende i paidentifikuar.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se Krasniqi është paraqitur më 3 qershor në zyrat e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Pejë, ku ka deklaruar se një natë më parë, në orët e mbrëmjes, ka pranuar një kërcënim përmes telefonit nga një person i panjohur.

Për rastin është njoftuar menjëherë prokurorja kujdestare për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, e cila ka autorizuar inicimin e rastit penal për veprën “Kanosje”.

Për shkak të pozitës së të dëmtuarit dhe natyrës së rastit, hetimet pritet të vazhdojnë në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Aktualisht nuk janë bërë të ditura detaje lidhur me përmbajtjen e kërcënimit apo identitetin e personit që dyshohet se qëndron pas tij.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë veprimet hetimore për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU