Kombëtaren e Kosovës nuk është duke e përcjellur fati tash e sa vite. Pikërisht para ndeshjeve të saj më të rëndësishme ndodhin gjëra që pashmangshëm ndikojnë në lojën dhe rezultatet e Dardanëve. Njëjtë ndodhi edhe para ‘finales’ së Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve kundër Rumanisë, ku Kosova hyn e hendikepuar me mungesën e shumë futbollistëve të rëndësishëm, si pasojë e lëndimeve.
Milot Rashica, Ermal Krasniqi, Emir Sahiti, Bersant Celina dhe Leart Paqarada u lënduan në prag të grumbullimit me Dardanët, derisa në ditën e dytë të grumbullimit për shkak të lëndimit u lirua edhe Donat Rrudhani.
Megjithatë, përkundër mungesave të rëndësishme atmosfera në Kombëtaren e Kosovës duket shumë pozitive. E këtë e kanë theksuar në vazhdimësi futbollistët që nga dita e parë e grumbullimit, e sot e përsëriti edhe përzgjedhësi Franco Foda në konferencën për media.
Këtë energji pozitive pa dyshim e ka sjellë fakti që FFK me kreun e saj Agim Ademi këtë vit kanë bërë rekord prurjesh të reja dhe cilësore, duke filluar nga Elvis Rexhbeçaj e për të vazhduar me Fisnik Asllanin, Eliot Bujupin, Amir Saipin, Andi Hotin, Muharrem Jasharin, Baton Zabërgjën, Art Smakajn, Leard Sadriun.
Ata i kanë dhënë një energji të re ekipit dhe kanë rritur konkurrencën për çdo pozicion. Pikërisht këto prurje të reja janë inkuarjuese dhe kanë bërë që edhe në raste të tilla kur shumë prej futbollistëve dardanë janë në ‘infiermeri’, konkurrenca në ekip të jetë e madhe dhe përzgjedhësi Foda të mos ketë telashe për të ndërtuar një ekip të fortë e konkurrues.


