Kosova U19 nis përgatitjet për dy miqësore ndaj Malit të Zi

Kombëtarja e Kosovës U19 e vajzave ka nisur grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshje miqësore që do t’i zhvillojë ndaj Malit të Zi në Podgoricë, më 22 dhe 24 tetor. Këto përballje shërbejnë si test i rëndësishëm para raundit kualifikues për Kampionatin Evropian 2026, që zhvillohet në nëntor.

Në këtë grumbullim janë ftuar 20 futbolliste, shumica me përvojë nga grumbullimet e kaluara, por edhe futbollsite të reja që pritet të sjellin energji dhe potencial për kombëtaret zingjir.

Përzgjedhësja Albina Rrahmani tha se skuadra është në fazë përgatitore taktike: “Dje me shumicën e grupit kemi bërë rikuperim, pasi vajzat vijnë direkt nga ndeshjet. Sot dhe nesër do të fokusohemi më shumë në aspektin taktik. Kemi një grup shumë të mirë, gjysma e vajzave janë nga diaspora dhe gjysma nga Kosova. I falënderoj prindërit e vajzave që vijnë nga jashtë për frymën dhe dashurinë që ua mbjellin për Kosovën. Ky është një test shumë i rëndësishëm para kualifikimeve”, shtoi përzgjedhësja Rrahmani.

Ndërsa futbollistja Mirejeta Januzi shprehu optimizmin e saj para dy ndeshjeve miqësore: “Atmosfera në kamp është shumë e mirë. Të gjitha jemi duke u përgatitur për kualifikime dhe do të japim maksimumin në stërvitje. Besoj që në këto miqësore do të luajmë shumë mirë dhe do të shërbejnë si përgatitje për sfidat e nëntorit”, theksoi futbollistja Januzi.

Për herë të parë pjesë e Kombëtares është edhe Medina Sadikaj, e cila ndau emocionet e saj: “Është një ndjenjë shumë e mirë, diçka që nuk e kam përjetuar kurrë më parë. Kur mora ftesën isha shumë e gëzuar, nuk e prisja. Tani që jam këtu, po më pëlqen edhe më shumë se sa e kam menduar. Kur pashë vajzat duke luajtur, besoj fort që do të japim maksimumin dhe do të fitojmë”, theksoi ajo.

Këto dy miqësore do të jenë provë e vlefshme për të testuar formën dhe harmoninë e skuadrës, në prag të ndeshjeve vendimtare kualifikuese të nëntorit. Kosova bën pjesë në Grupin A1, bashkë me Portugalinë, Danimarkën dhe Islandën.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU