Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një mesazh në Facebook pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në postimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit të votës dhe u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të kryejnë me përgjegjësi procesin e numërimit.
“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor.
Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju, komisionerë dhe vëzhgues. Mbi ju peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike.
Ju falënderoj për angazhimin dhe ju uroj punë të mbarë në numërimin e çdo vote”, ka shkruar Kurti në Facebook./Raporto24/


