​Kurti premton stadium me 2500 ulëse prej drurit për Kamenicën

LVV mban tubim në Kamenicë, Kurti prezanton projektin për stadium të ri dhe infrastrukturë rrugore

Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar tubimin e ditës së tretë të fushatës zgjedhore në Kamenicë, ku është prezantuar programi dhe projektet e planifikuara për këtë komunë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë këtij tubimi ka folur për projektet infrastrukturore dhe sportive që pritet të realizohen në Kamenicë, me theks të veçantë në ndërtimin e një stadiumi të ri.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në stadium ka takuar futbollistë lokalë, të cilëve u ka premtuar ndërtimin e një stadiumi të ri me 2 mijë e 500 ulëse prej druri, të cilin e ka cilësuar si projekt unik në vend.

“Kur i takova lojtarët sot aty në stadium, ua dhashë lajmin e mirë se do ta ndërtojmë stadiumin me 2 mijë e 500 ulëse prej druri. Do të jetë stadiumi i parë i këtij lloji”, tha Kurti.

Në tubim ka folur edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili ka përmendur projektet e realizuara gjatë mandatit të tij, si dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës lokale.

Ai tha se një nga projektet kryesore është asfaltimi i rreth 50 kilometrave rrugë, që sipas tij do të lehtësojë qarkullimin dhe do të përmirësojë lidhjen mes zonave të ndryshme të komunës.

“Asfaltimi i projektit kufitar, ku do të asfaltohen 50 kilometra rrugë. Qyteti do ta gjejë mbështetjen te projektet zhvillimore, përfshirë edhe stadiumin e ri. Ky do të jetë stadiumi i parë unik që do të ndërtohet nga druri, ashtu siç e duan dardanët: i gjelbër dhe i pastër”, deklaroi Rahimaj.

Tubimi në Kamenicë është pjesë e aktiviteteve zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU