No menu items!

LDK insiston në qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Grupi parlamentar i këtij subjekti politik kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas pjesëmarrjes se kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku në takimin e thirrur nga presidentja e vendit në përpjekje për të gjetur një zgjidhje në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ne deklaratë thuhet se “sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku mori pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, në përpjekjen për të gjetur zgjidhje për të dalë nga kriza politike dhe institucionale tre mujore e vendit. Pa Kuvend, pa qeveri funksionale; pa drejtim; dhe si rrjedhojë – pa përgjigje për brengat e qytetarëve”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron obligim politik, moral dhe kushtetues të paraqesë qartazi vizionin dhe qëndrimin politik për tejkalimin e krizës aktuale”, thuhet në deklaratë.

Tutje LDK thotë se “kriza është pasojë e paaftësisë së partisë së parë për të krijuar shumicën parlamentare, zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimit të Kuvendit”.

“Çdo përpjekje për të funksionalizuar institucionet pa një shumicë të tillë nuk është tjetër veçse përpjekje për të imponuar arbitrarisht dëshira politike partiake mbi realitetin politik. Së këndejmi, insistim kokëfortë dhe me vetëdije për të përsëritur procesin e dështuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit për herën e gjashtëmbëdhjetë, nuk jep asnjë zgjidhje”, thotë LDK.

Më tej, Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi. “Çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve, çdo ditë me një qeveri në detyrë që vepron përtej kompetencave kushtetuese, deri në shkelje të rënda penale, është dëm për interesin e qytetarëve dhe cenon rëndë rendin kushtetues institucional të vendit”.

“Me qëllim të zgjidhjes së krizës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë. Kryesia e LDK-së vlerëson se propozimi i LDK-së për zgjidhjen e krizës është më i përshtatshmi dhe i shërben interesit të vendit”.

Në deklaratë thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme, do të sillet me maturi në drejtim të zgjidhjes së krizës”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës fton të gjitha partitë politike që të mbështesin idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, si rruga më e mirë të zgjidhur krizën e thellë”, përfundon deklarata. /Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.