Nga Vladislav Inozemtsev “The Moscow Times”
Ndërsa në internet ka aktualisht shumë diskutime mbi rezultatet e bisedimeve të fundit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Joe Biden – dhe ku shumica mendojnë se Kremlini “ia hodhi” edhe një herë kundërshtarit të tij, duke e detyruar Shtëpinë e Bardhë ta sigurojë botën se do të jetë pjesë e së ashtuquajturës Marrëveshje e Minskut,duke rënë dakord me kërkesën e Rusisë për të pezulluar ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës – unë do të doja të theksoja se Rusia ka hyrë efektivisht në një Luftë të re të Ftohtë me Perëndimin.
Një konflikt që i ngjan jo vetëm Luftës së Ftohtë madhore të viteve 1947-1986, por edhe asaj të vogël të viteve 1830-1856. Në fakt ekzistojnë disa paralele midis ngjarjeve aktuale dhe atyre të së shkuarës. Në çdo rast, Rusia veproi nga pozita e një epërsie morale të imagjinuar.
Gati200 vjet më parë, ajo mbështeste “ruajtjen e bazave”në perandori, dhe ruajtjen e rendit monarkik në Evropë, duke mbrojtur atë sistem nga të gjitha llojet e “nihilistëve”. Pas Luftës së Dytë Botërore, u fol shumë mbi triumfin e komunizmit si sistemi shoqëror më përparimtar.
Tani, Kremlini po përsërit idenë se Rusia po i kundërvihet fort Perëndimit shkatërrues dhe imoral, se ajo është edhe një herë mbrojtëse e vlerave tradicionale të cilat Perëndimi mund t’i përdhosë. Dhe në çdo rast, përplasja niste kur Rusia “ngacmonte” përfaqësuesit e frontit perëndimor.
Në Luftën e Parë të Ftohtë, kjo përfshiu shtypjen nga Rusia të kryengritjes që shpërtheu në Poloni në vitin 1830, revolucionin në Hungari në vitin 1848, dhe ultimatumin e vitit 1853 që Perandoria Osmane t’i jepte Rusisë një protektorat mbi dominimet e saj të banuara kryesisht nga ortodoksë rusë.
Lufta e dytë më e madhe e Ftohtë, filloi me refuzimin e shteteve satelite sovjetike për të marrë pjesë në Planin Marshall të ofruar nga SHBA si dhe me bllokadën ndaj Berlinit Perëndimor në vitin 1947.
Më së afërmi, tensionet u përshkallëzuan kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014, dhe e minoi integritetin territorial të Ukrainës nëpërmjet ndërhyrjes së saj ushtarake në Donbas në vitet 2014- 2015. Dhe çdo herë, ngjarjet nuk përshkallëzoheshin në një luftë “të nxehtë” pra me të shtëna armësh.
Përkundrazi, konfliktet u kufizuan në një teatër operacionesh periferike – siç ishte fushata e Krimesë e viteve 1850; dhe kudo në botë u përplasën interesat e palëve ndërluftuese – siç ndodhi në gjysmën e dytë të shekullit XX0-të; apo siç po ndodh tani, duke aktivizuar formacione thuajse ushtarake, mbi të cilat njëra palë pretendon se nuk ka ndonjë kontroll – dhe përmes llojeve të ndryshme të akteve terroriste.
Nuk duhet të harrojmë se në çdo rast Rusisë apo Bashkimit Sovjetik i mungonte fuqia ekonomike dhe teknologjike, që do t’i jepte avantazh në përplasjen që pasoi. Ndonëse Moska ka pasur aftësinë për ta zhdukur armikun e saj nga faqja e dheut që kur zhvilloi armë bërthamore në mesin e shekullit XX-të, edhe ajo do të zhdukej bashkë me të.
Rezultati është që Moska nuk ishte në gjendje të fitonte në asnjërën prej këtyre “luftërave të ftohta”, dhe secila nga disfatat e saj përfundoi në një krizë serioze të të gjithë modelit social të Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik.
Sado të dukshme që mund të jenë këto paralele, Rusia ka bërë çdo herë të njëjtat gabime. Së pari, ajo ka fituar në Evropë dhe Perëndim reputacionin e një “perandori dashakeqe” – edhe nëse jo përmes veprimeve haptazi armiqësore, e ka bërë përmes politikave të brendshme dhe aspiratave ideologjike – me të cilat bashkëpunimi cilësohej si i pamundur.
Së dyti, në secilën prej këtyre “luftërave të ftohta”, Rusia e pa veten ose të vetmuar ose të mbështetur nga vetëm shtete satelit të parëndësishëm nga pikëpamja strategjike, në një kohë që kishte përballë një aleancë vendesh të fuqishme dhe me ndikim, duke e paracaktuar kësisoj rezultatin negativ të saj në këto lloj luftërash.
Së treti, ky vend reagoi ndaj çdo “lufte të ftohtë” duke shtrënguar “vidat” në politikën e tij të brendshme, duke reduktuar liritë e njeriut dhe duke e çuar shoqërinë ruse në një lloj turbullire e cila përfundoi vetëm kur autoritetet federale humbën pushtetin gjatë një episodi të mëvonshëm të përplasjes me Perëndimin.
Së katërti – dhe kjo rrjedh pjesërisht nga pika e tretë – ndërsa konflikti po përshkallëzohej, autoritetet ruse e humbën gjithnjë e më shumë lidhjen me realitetin, duke i nxitur që të bëjnë gabime që i dëmtuan shumë, siç ishte pushtimi i Moldavisë dhe Vllahisë në vitin 1853, dhe i Afganistanit në vitin 1979.
Për mendimit tim, ne nuk mund ta ndajmë atë që po ndodh tani nga “luftërat e ftohta” të mëparshme apo nga leksionet e dukshme që duhen nxjerrë prej tyre. Rusia është sjellë në mënyrë të përsëritur me padurim dhe agresivitet.
Ndërkohë Perëndimi – të cilin shumë liberalë rusë e akuzojnë tani për disfatizëm dhe pajtim me situatën – i perceptoi në fillim përplasjet me Shën Petersburgun dhe Moskën si një proces të gjatë, në të cilin shoqëritë e tyre në zhvillim do të mbizotëronin në mënyrë të pashmangshme ndaj shoqërisë ruse apo sovjetike që ka qenë vazhdimisht në stanjacion. /abcnews.al