“Marketing i dobët, struktura jo profesionale – kritikat e Zebicës për klubet”

Njohësi i futbollit, Kujtim Zebica, ka publikuar një analizë të detajuar në Facebook mbi gjendjen aktuale të futbollit në Kosovë, duke evidentuar problemet kryesore me të cilat përballen klubet vendore.


Sipas Zebicës, futbolli kosovar vazhdon të menaxhohet më shumë si një projekt emocional afatshkurtër sesa si industri sportive dhe biznes serioz. Ai thekson se shumica e klubeve ende funksionojnë pa struktura të mirëfillta organizative, pa departamente profesionale dhe pa një model të qëndrueshëm zhvillimi.
Në analizën e tij, ai vë në pah edhe varësinë e madhe të klubeve nga një sponsor apo financues i vetëm, duke paralajmëruar se largimi i tyre mund ta rrezikojë seriozisht funksionimin e klubeve.
Zebica kritikon mungesën e koordinimit mes menaxhmentit, trajnerëve, scouting-ut dhe analizës së të dhënave, duke shtuar se shumë vendime vazhdojnë të merren emocionalisht dhe pa strategji afatgjatë sportive.
Një tjetër problem që ai përmend është marketingu i dobët në futbollin kosovar. Sipas tij, shumica e klubeve përdorin rrjetet sociale vetëm për postime bazike, pa strategji për rritje audience, ndërtim të brandit apo monetizim.
Ai thekson gjithashtu se përdorimi i të dhënave në analizën sportive, scouting, performancë, ticketing dhe marrëdhënie me sponsorët mbetet ende shumë i kufizuar.
Në fund, Zebica kërkon profesionalizëm më të madh në futbollin kosovar, duke rekomanduar:
ndërtimin e strukturave profesionale,
investime në marketing dhe media,
krijimin e departamenteve të scouting-ut dhe analizës,
zhvillimin serioz të akademive,
modele të qëndrueshme financiare,
dhe më pak varësi nga individë apo sponsorë të vetëm.
“Përndryshe, çdo sezon do të vazhdojmë të flasim për të njëjtat probleme, ndërsa futbolli europian largohet gjithnjë e më shumë nga ne”, ka përfunduar ai në analizën e tij./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU