​Maroku synon ta befasojë Francën edhe pa lojtarin kryesor

Trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, ka deklaruar se skuadra e tij nuk ka përgatitur ndonjë plan të veçantë për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës kundër Francës, por ka theksuar se ekipi duhet të jetë në nivel në çdo aspekt për t’u përballur me një nga favoritët e turneut.

Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, Ouahbi konfirmoi se sulmuesi Ismael Saibari nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së enjtes, pasi pësoi një dëmtim në kofshë gjatë fitores ndaj Kanadasë në fazën e 1/16 së finales.

“Ai nuk është ende gati, por shpresoj që ky të mos jetë fundi i turneut për të”, tha Ouahbi.

Saibari ishte një nga lojtarët më të dalluar të Marokut në këtë Botëror, duke shënuar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve, ndërsa realizoi edhe penalltinë vendimtare në triumfin ndaj Holandës.

Duke folur për përgatitjet taktike, Ouahbi tha se skuadra e tij do t’i qëndrojë besnike stilit të lojës.

“Nuk do të ketë surpriza. Nuk jam trajner që kërkoj të befasoj kundërshtarin. Kushdo që i ka analizuar ndeshjet tona e di qartë mënyrën se si dëshirojmë të luajmë. Kur ta kemi topin, synimi është t’i dëmtojmë, qoftë nga krahët apo nga qendra. Duhet të jemi të durueshëm në posedim dhe të gjejmë hapësirat e duhura”, u shpreh ai.

Sipas tij, Maroku ka dëshmuar se mund të krijojë vështirësi ndaj çdo kundërshtari dhe kjo mbetet objektivi edhe përballë Francës.

Maroku dhe Franca u përballën edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Katar katër vjet më parë, ku fituan francezët. Megjithatë, Ouahbi theksoi se kjo ndeshje do të jetë krejtësisht ndryshe.

“Çdo ndeshje ka historinë dhe kontekstin e saj. Tani kemi një ekip ndryshe dhe do të përballemi me një Francë ndryshe nga ajo e katër viteve më parë. Të dyja kombëtaret janë përmirësuar dhe kjo është normale, pasi të dy federatat punojnë shumë mirë”, deklaroi ai.

Trajneri maroken hodhi poshtë pretendimet se skuadra e tij e ka tejkaluar tashmë objektivin duke arritur në çerekfinale.

“Nuk do të bëjmë bilancin tani. Nuk do të dëgjojmë ata që thonë se kemi bërë mjaftueshëm deri këtu. Franca mund të jetë favorite, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar. Arritja në këtë fazë nuk është bonus. Bonusi është ta fitojmë Kupën e Botës”, përfundoi Ouahbi.

Ndeshja mes Francës dhe Marokut zhvillohet sonte nga ora 22:00.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU