Ish-anësori i Chelseat, Florent Malouda, beson se trajneri i sapoemëruar i Real Madridit, Jose Mourinho, do ta ndërtojë të gjithë sistemin e tij taktik rreth Kylian Mbappes.
Ish-reprezentuesi francez mendon se të dy ndajnë të njëjtin mentalitet elitar, të përqendruar plotësisht te fitimi i trofeve dhe zgjidhja e problemeve strukturore që e shoqëruan klubin sezonin e kaluar.
Tekniku portugez është rikthyer zyrtarisht në kryeqytetin spanjoll, duke nënshkruar një kontratë fitimprurëse trevjeçare deri në qershor të vitit 2029, pasi u arrit një marrëveshje prej 15 milionë eurosh me Benfican për lirimin e tij.
Mourinho pritet të drejtojë stërvitjen e parë të ekipit më 13 korrik, kur të nisë faza përgatitore për sezonin e ri.
Objektivi i tij kryesor do të jetë të nxjerrë maksimumin nga sulmuesi francez, i cili pati një sezon të dytë zhgënjyes pa trofe, pavarësisht se shënoi 42 gola në të gjitha garat.
Trajneri legjendar pritet ta vendosë Mbappen, golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar në Ligën e Kampionëve dhe La Liga, në qendër të projektit të tij sportiv për ta rikthyer Real Madridin në dominimin vendas.
Duke folur për “BOYLE Sports”, që ofron kuotat më të fundit për Kupën e Botës, Malouda deklaroi se Mbappe e Mourinho kanë diçka të përbashkët.
“Mendoj se ata kanë të njëjtin lloj mentaliteti, sepse të dy duan të dëshmojnë se janë më të mirët dhe besoj se kanë interesa të përbashkëta”, tha ai fillimisht.
“Mendoj se Mourinho është profili i duhur për të vendosur rregull në skuadrën e Real Madridit. Ai është një trajner ndryshe tani. E di se duhet të krijojë një lidhje me Kylian Mbappen. Besoj se do të përpiqet të ndërtojë një sistem rreth tij, në mënyrë që t’i mundësojë të udhëheqë ekipin. Mbi të gjitha, të dy e duan futbollin”, shtoi ai.
“Ata kanë të njëjtin pasion dhe të njëjtin përkushtim ndaj futbollit. Ajo që i bën të lumtur janë rezultatet, ndërsa rezultatet nënkuptojnë fitimin e trofeve. Ky është objektivi i përbashkët që kanë”, u shpreh tutje francezi.
Riorganizimi taktik duhet të zgjidhë mungesën e kohezionit krijues që u shfaq në skuadër pas largimit emocional të mesfushorit veteran Luka Modric në verën e vitit 2025.
Për të korrigjuar këto dobësi, klubi ka përforcuar ndjeshëm ekipin duke siguruar transferimet e Ibrahima Konates, Bernardo Silvas, Marc Cucurellas dhe Denzel Dumfries.
Malouda shtoi: “Duke parë afrimet që po bëjnë, mund të kuptoj se ka pasur reflektim për sezonin që lamë pas. Mourinho ka përvojën e nevojshme për të zgjidhur problemet që dolën në pah këtë sezon. Ajo që pritej pas largimit të Luka Modriqit, kur duhej rindërtuar mesfusha, është pikërisht ajo që ai do të përpiqet të balancojë, në mënyrë që dikush si Mbappe të shënojë gola, të udhëheqë ekipin dhe të fitojë trofe. Ata mund të jenë kombinimi perfekt”./GazetaExpress/





