Ministria e Mbrojtjes gjatë vitit 2025 ka shpenzuar 201,826,135 euro, apo rreth 96 për qind të buxhetit final, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Sipas raportit, fushat me problemet më të theksuara kanë të bëjnë me kompensimin jo të plotë për punën jashtë orarit dhe kujdestaritë e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), menaxhimin e kontratave, si dhe mangësitë në zbatimin e procedurave të prokurimit publik.
Auditimi ka evidentuar se në nëntë kontrata, menaxherët e kontratave nuk kanë mirëmbajtur dhe azhurnuar në mënyrë të rregullt të dhënat në sistemin elektronik të prokurimit, përfshirë evidentimin e të gjitha pagesave të kryera.
Po ashtu, në gjashtë procedura të planifikuara me vlerë individuale mbi 500 mijë euro, autoriteti kontraktues nuk kishte përgatitur njoftimin paraprak për dhënien e kontratave. Sipas sqarimeve të dhëna për auditorin, praktika e publikimit të njoftimeve paraprake nuk ishte duke u aplikuar.
Në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, buxheti final ishte 50,442,169 euro, ndërsa janë shpenzuar 50,440,597 euro, apo pothuajse 100 për qind e mjeteve të planifikuara.
Megjithatë, ZKA ka konstatuar se kompensimi për kujdestaritë e pjesëtarëve të FSK-së nuk është realizuar në tërësi. Ministria ka paguar kujdestaritë vetëm për muajin janar të vitit 2025, ndërsa për pjesën tjetër të vitit ka aplikuar kompensim me ditë pushimi, me arsyetimin se aktivitetet operative të FSK-së nuk duhej të pengoheshin.
Sipas raportit, Ministria e Mbrojtjes kishte kërkuar vazhdimisht nga Ministria e Financave ndarje shtesë të buxhetit për mbulimin e këtyre obligimeve. Nga të dhënat e auditimit rezulton se vlera e kujdestarive të papaguara për pjesëtarët e FSK-së gjatë vitit 2025 ka arritur në 2,869,999 euro.
Për shkak të mospagesës së këtyre kompensimeve, ka nisur edhe procesi i padive nga pjesëtarët e FSK-së ndaj Ministrisë së Mbrojtjes.
ZKA ka vlerësuar se Ministria duhet të forcojë kontrollet e brendshme, menaxhimin e kontratave dhe zbatimin e procedurave të prokurimit publik për të shmangur përsëritjen e mangësive të evidentuara.


