Mijëra qytetarë pritet të mblidhen sërish sot në sheshin para Kryeministrisë në një protestë kundër projektit të Zvërnecit.
Sot pritet të zhvillohet tubimi i katërt kombëtar, me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ambientalistëve, të cilët kanë kundërshtuar projektin si dhe, sipas tyre, dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe pronarëve të tokës. Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 18:00.
Sipas organizatorëve, qytetarët fillimisht do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas do të marshojnë simbolikisht drejt Kryeministrisë.
Një ditë më parë, protestuesit kanë deklaruar se nuk pranojnë dialog me kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar anulimin e projektit dhe dorëheqjen e qeverisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka deklaruar në daljet e tij publike se projekti do të vazhdojë të realizohet për sa kohë ai është në krye të qeverisë. Ai ka ftuar gjithashtu një përfaqësi prej 20 protestuesish për dialog, por kjo ftesë është refuzuar nga organizatorët, të cilët e kanë konsideruar si përpjekje për përçarje të protestës.





