Milan Club Kosova shpërthen ndaj mediave serbe: Dashuria për Milanin nuk njeh kufij!

Arbër Lepaja, presidenti i Milan Club Kosova, ka reaguar fuqishëm ndaj raportimeve të pavërteta të disa mediave serbe, të cilat kanë tentuar të politizojnë praninë e bannerit të klubit në stadiumin e famshëm San Siro gjatë ndeshjes së fundit.

“Banneri ynë në San Siro është histori pasioni dhe krenarie, jo politikë!” – deklaron Lepaja.

Milan Club Kosova, i cili nga viti 2013 është një fan klub zyrtar i AC Milan, e sheh këtë simbol si një shprehje të pastër të dashurisë dhe përkushtimit ndaj kuqezinjve, të cilën e sjellin me krenari nga Republika e Kosovës.

Në reagimin e tij, Lepaja i cilëson raportimet serbe si “tendencioze dhe të motivuara politikisht”, duke theksuar se qëllimi i vetëm i klubit është përkrahja e Milanit dhe promovimi i vlerave të futbollit, unitetit dhe pasionit. Ai shton se banneri i klubit është i pranishëm në San Siro për çdo ndeshje, dhe nuk përmban asnjë mesazh provokues apo politik.

“Jemi tifozë, jo politikë! Dashuria jonë për Milanin na bashkon dhe ky është mesazhi që përcjellim në çdo ndeshje.”

Milan Club Kosova u bën thirrje mediave që të respektojnë faktet dhe të shmangin manipulimet e panevojshme. Ata theksojnë se prania e tyre në San Siro është një shenjë e qartë e fuqisë së sportit për të tejkaluar kufijtë dhe ndasitë.

“Në San Siro ne përfaqësojmë një komunitet të tërë që jeton për futbollin dhe për Milanin. Kjo është historia jonë e vërtetë!” përfundon reagimi./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU