Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në një darkë shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, dhe Këshilli Federal zviceran, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në këtë shtet mik.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka bërë të ditur se në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të mërgatës shqiptare në Zvicër.
“Mbrëmë, në Darkën Shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran, së bashku me shumë pjesëtarë të mërgatës sonë, ngremë dolli për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen e partneritetit në mes shteteve tona”, ka shkruar Osmani.
Në fotografitë e publikuara nga ky takim zyrtar, Osmani shihet edhe në shoqërinë e futbollistit të njohur shqiptar që luan për përfaqësuesen zvicerane, Xherdan Shaqiri. /Telegrafi/