PDK mban tubimin e parafundit elektoral në Mitrovicë, Hamza kërkon mbështetjen e qytetarëve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur tubimin e parafundit të fushatës zgjedhore në Mitrovicë, ku të pranishëm ishin edhe vëllezërit e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Vesel Veseli dhe Ismet Veseli.

I pari që iu drejtua qytetarëve ishte kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri. Ai tha se çdo proces zgjedhor ka rëndësinë e vet, por sipas tij, zgjedhjet e tanishme janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

Tahiri kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për marrëveshje të dëmshme me Serbinë dhe për përkeqësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.

“Ju kërkoj që secili qytetar i Mitrovicës ta ndëshkojë me votë Albin Kurtin. Ai ka ardhur në pushtet duke thënë se nuk do të negociojë me Serbinë, por ka bërë marrëveshje të dëmshme. Ka premtuar çerdhe, banesa sociale dhe projekte të shumta, por ato nuk janë realizuar. Ka folur për bashkim kombëtar, ndërsa ka rritur importin me Serbinë dhe ka larguar Kosovën nga Shqipëria”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Kurti ka tentuar ta paraqesë ngjarjen e Banjskës si më të rëndësishme sesa betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e akuzuar se nuk ka arritur ta arrestojë Milan Radoiçiqin.

“Nëse flasim për poena politikë nga Banjska, atëherë pse nuk u arrestua krimineli Milan Radoiçiq? Duhet të ndalet kjo qasje manipuluese. Mitrovica duhet ta japë mesazhin e saj me votë dhe t’ia japë mundësinë Bedri Hamzës ta udhëheqë Kosovën”, deklaroi Tahiri.

Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, kërkoi mbështetjen e bashkëqytetarëve të tij, duke thënë se Kosova po përballet me sfida të shumta dhe ka nevojë për një drejtim të ri.

Sipas Hamzës, gjatë viteve të fundit vendi është karakterizuar nga kriza, polarizime dhe përplasje me mediat, shoqërinë civile dhe kundërshtarët politikë.

“Ne ballafaqohemi çdo ditë me çmime të larta dhe kjo situatë duhet të marrë fund. Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta kthejë Kosovën në rrugën e zhvillimit. Ne garojmë me një program konkret që mbështet bizneset, krijon vende pune dhe rrit mirëqenien e qytetarëve”, tha Hamza.

Ai premtoi rritje prej 50 për qind të pagave për shërbyesit civilë dhe pensioneve, duke theksuar se në qeverisjen e PDK-së nuk do të ketë pension më të ulët se 300 euro.

Hamza premtoi gjithashtu zgjerimin e listës esenciale të barnave, zbatimin e sigurimeve shëndetësore, digjitalizimin e sistemit arsimor, fond prej 30 milionë eurosh për bursa, subvencionimin e kostove të çerdheve për çiftet e reja, investime në energji, përfshirë projektin e gazit, si dhe rivitalizimin e Trepçës.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që deri në ditën e zgjedhjeve të mobilizojnë familjarët dhe miqtë për ta mbështetur PDK-në me votë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU