Pas testimit të suksesshëm te minjtë, hulumtuesit shpresojnë se do të fillojnë përdorimin e pilulave te njerëzit, gjatë gjysmës së dytë të vitit
Është zbuluar se një pilulë e re kontraceptive për meshkujt, është 99 për qind efektive në ndalimin e shtatzënisë. Kjo është bërë e ditur pas testimeve që është bërë te minjtë, shkruan SkyNews, transmeton Gazeta Express.
Ky medikament do të balanconte përdorimin e kontraceptivëve, të cilët janë shumë më pak në dispozicion për burrat.
Duke paraqitur gjetjet e tyre në takimin e Shoqërisë Kimike Amerikane të mërkurën, shkencëtarët do të njoftojnë krijimin e një pilule të re kontraceptive jo-hormonale mashkullore, që parandalon në mënyrë efektive shtatzëninë, pa efekte anësore të dukshme.
Derisa gratë mund të përdorin disa metoda, që parandalojnë shtatzëninë, burrat mund të përdorin vetëm prezervativë, të cilët janë të prirë të dështojnë dhe vazektominë.
Vazektomia është një procedurë kirurgjikale, e cila edhe pse potencialisht konsiderohet si metodë e përkohshme, në përgjithësi njihet si formë e sterilizimit të përhershëm të meshkujve.
Hulumtuesit thonë se kjo metodë është “e shtrenjtë dhe jo gjithnjë e suksesshme”, prandaj e shohin të nevojshme zbulimin e një metode efektive afatgjate, por me mundësi të kthimit të fertilitetit, e cila është e njëjtë me pilulat, që përdorin gratë kundër shtatzënisë.
“Shkencëtarët kanë provuar me dekada të zhvillojnë kontraceptivë për meshkuj, që merrën duke i pirë, por akoma nuk ka ndonjë pilulë të aprovuar në treg”, ka thënë doktor Abdullah Al Noman, i cili po e prezanton punën e grupit që punoi në zbulimin e këtyre pilulave.