Policia e Kosovës mbyll 19 lokale gjatë aksionit kundër trafikimit me njerëz, arrestohen 15 persona

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka realizuar Planin Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, i zhvilluar nga 8 deri më 12 qershor, në koordinim me EUROPOL-in, INTERPOL-in, FRONTEX-in dhe institucione të tjera vendore.

Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në lokale të muzikës live, qendra masazhi, rrugë, sheshe dhe qendra tregtare, me fokus identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore.
Sipas Policisë, janë inspektuar 59 lokale të muzikës live, ku janë hasur 426 persona, prej tyre 186 shtetas të Kosovës dhe 234 shtetas të huaj. Gjashtë lokale janë gjetur të mbyllura, ndërsa 9 lokale janë mbyllur për shkelje administrative nga Inspektorati i MINT-it.

Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë identifikuar 104 persona, prej tyre 60 shtetas të Kosovës dhe 45 shtetas të huaj. Nga këto, 10 qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative.

Policia njofton se gjatë operacionit nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.

Megjithatë, janë evidentuar shtatë raste të lypjes me fëmijë, ku janë arrestuar shtatë gra – katër shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy shtetase të Kosovës.

Trembëdhjetë fëmijë janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, ndërsa janë iniciuar raste për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.
Në kuadër të planit janë zbuluar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, ku janë arrestuar tetë persona – katër meshkuj kosovarë dhe katër shtetase të huaja, dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.

Policia bëri të ditur se të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet e muzikës, qendrat e masazhit dhe në eskortë janë intervistuar për të verifikuar nëse ishin viktima të ndonjë forme shfrytëzimi apo trafikimi, por asnjë rast i tillë nuk është konfirmuar. /Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU