Presidenti i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka publikuar një status me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment historik për futbollin dhe shtetësinë e vendit.
Në mesazhin e tij, Ademi kujton se më 3 maj 2016, në Kongresin e UEFA-s në Budapest, Kosova i dha fund izolimit shumëvjeçar dhe u bë pjesë e familjes evropiane të futbollit. Vetëm 10 ditë më vonë, më 13 maj 2016, në Kongresin e FIFA-s në Mexico City, vendi u pranua edhe në organizatën botërore të futbollit.
Sipas tij, që nga ajo kohë, futbolli kosovar ka shënuar progres të madh. Nga pozita e 190-të në renditjen e FIFA-s, Kosova sot renditet në vendin e 78-të, duke reflektuar zhvillimin dhe potencialin e lojtarëve vendas.
Ademi theksoi edhe sukseset sportive, përfshirë ngjitjen në Ligën B të UEFA Nations League dhe paraqitjet dinjitoze në kualifikimet ndërkombëtare, si dhe objektivin për kualifikim në Kampionatin Evropian 2028.
Ai vuri në pah zhvillimin e të gjitha kategorive të futbollit, duke përfshirë ekipet zinxhir, futbollin e femrave dhe futsallin, si dhe sukseset e klubeve kosovare në garat evropiane, veçanërisht paraqitjet në UEFA Europa Conference League.
Në aspektin infrastrukturor, presidenti i FFK-së theksoi investimet e realizuara përmes programeve “UEFA HatTrick” dhe “FIFA Forward”, duke përmendur ndërtimin e dhjetëra fushave të futbollit, modernizimin e stadiumeve dhe zhvillimin e kampit nacional.
Po ashtu, ai përmendi avancimet në teknologji dhe organizim, përfshirë implementimin e sistemit VAR, digjitalizimin e garave përmes platformës “MyFFK” dhe zhvillimin e projekteve të reja mediatike.
Ademi nënvizoi edhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes në futboll, duke përmendur programet për fëmijë dhe komunitetin, si dhe përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në aktivitete sportive.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë kontribuuesit ndër vite, duke kujtuar ish-drejtuesit e FFK-së dhe veçanërisht legjendën Fadil Vokrri.
Presidenti i FFK-së bëri thirrje edhe për mbështetje më të madhe institucionale, duke kërkuar përfundimin e projekteve të stadiumeve dhe ndërtimin e Stadiumit Nacional.
“Ky është një jubile i përbashkët, i sakrificës dhe krenarisë sonë. Vazhdojmë bashkë, me përgjegjësi e krenari, me futbollin, për Kosovën”, ka përfunduar Ademi./Raporto24/


