Prishtinë, 6 qershor – Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen të dielën, më 7 qershor, në të gjithë Kosovën kanë përfunduar përgatitjet për procesin zgjedhor. Gjatë së shtunës është bërë shpërndarja e materialeve jo-sensitive, si kabinat e votimit, posterët informues dhe materialet e tjera logjistike në të gjitha qendrat e votimit, raporton KosovaPress.
Në Prishtinë, komisionerët kanë tërhequr materialet nga Salla “1 Tetori” dhe kanë nisur përgatitjen e vendvotimeve në të gjithë komunën. Ndërkohë, materialet sensitive, përfshirë fletëvotimet, listat e votuesve, vulat zyrtare dhe procesverbalet, do të shpërndahen në orët e para të mëngjesit të së dielës nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Zyrtarja ekzekutive e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Prishtinë, Fatmire Bajrami, deklaroi se procesi i shpërndarjes së materialeve po zhvillohet sipas planit dhe se gjithçka është gati për hapjen e vendvotimeve.
Ajo njoftoi gjithashtu se është bërë një ndryshim i vendndodhjes së një qendre votimi. Qytetarët që më parë votonin në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” do të votojnë këtë herë në ish-shkollën “Xhevdet Doda”, në sheshin “Bill Clinton”.
Sipas Bajramit, Prishtina ka gjithsej 55 qendra votimi, prej të cilave 54 janë të rregullta, ndërsa Fakulteti i Edukimit do të shërbejë si qendër votimi me kusht. Në kuadër të tyre funksionojnë 262 vendvotime.
Materialet sensitive do të shpërndahen duke filluar nga ora 03:30 në zonat rurale dhe më pas në pjesën urbane të kryeqytetit, në prani të Policisë së Kosovës.
KosovaPress ka përcjellë nga afër edhe përgatitjet në shkollën “Mitrush Kuteli” në Matiçan, ku komisionerët kanë sistemuar klasat që do të shërbejnë si vendvotime. Janë vendosur kabinat e votimit, posterët informues dhe materialet e tjera të nevojshme për procesin zgjedhor.
Përfaqësuesja e komisionerëve në këtë qendër votimi, Sevdije Dauti, tha se të gjitha materialet janë pranuar me kohë dhe se vendvotimi është i gatshëm për ditën e zgjedhjeve. Ajo shprehu shpresën që procesi të zhvillohet pa parregullësi dhe pa keqpërdorime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur tashmë shpërndarjen e materialeve zgjedhore në të gjitha komunat e Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor.
Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën, më 7 qershor. Qendrat e votimit do të hapen në ora 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura sipas afateve të përcaktuara nga autoritetet zgjedhore.


