Prodhuesi rus i automjeteve AvtoVAZ, i cili më parë ishte në pronësi të Renaultit, ka rifilluar prodhimin pasi qeveria ruse ka liruar rregullat e saj të sigurisë.
Kjo zbutje e rregullave ka ndodhur për të zvogëluar efektin e sanksioneve që lidhen me pushtimin e saj në Ukrainë, raportoi të dielën “Automotive News”.
Me këtë rast, AvtoVAZ po i ndërton automjetet pa airbag, pa frena kundër bllokimit dhe veçori të tjera të zakonshme të sigurisë.
Një prodhim i tillë po ndodhë për shkak se pjesët që i nevojiten, po bllokohen nga sanksionet ndërkombëtare të vendosura për shkak të luftës që Rusia ka nisur në vendin fqinj.
Prodhuesi francez i automjeteve, Renault, ka njoftuar gjatë muajit mars se do të pezullojë punën në fabrikën e tij në Rusi.
Ky njoftim nga kompania franceze erdhi pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, atë kohë kishte bërë thirrje ndaj saj dhe kompanive të tjera franceze që të ndalin punën e tyre në Moskë.