​Prokuroria nis hetimet për vdekjen e foshnjës të porsalindur në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është duke hetuar rastin e vdekjes së foshnjës të porsalindur në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt.

Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit është informuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj lidhur me rastin, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar është iniciuar hetim për veprën penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”, sipas nenit 176 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E dyshuara, në këtë rast ndodhet në trajtim në repartin gjinekologjik të Spitalit të Ferizajt.

Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokuroria ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka bërë të ditur për KosovaPress se fillimisht foshnja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka ndërruar jetë pas pak kohe.

Sipas tij, foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndërsa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë në Ferizaj.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU