Sot, në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të hidhet shorti për edicionin garues 2026/2027, ku klubet do të mësojnë kalendarin dhe kundërshtarët e tyre për sezonin e ri.
Sipas njoftimit të Komisionit të Garave, ceremonia do të zhvillohet në tri termine. Fillimisht, në orën 13:00 do të tërhiqet shorti për Albi Mall Superligën e Kosovës, më pas në orën 14:00 për Ligën e Parë, ndërsa në orën 15:00 për Ligën e Dytë.
Komisioni i Garave ka ftuar përfaqësuesit e të gjitha klubeve që të jenë të pranishëm në ceremoninë e shortit, sipas orarit të përcaktuar për secilën kategori.
Me tërheqjen e shortit, ekipet do të mësojnë kalendarin e ndeshjeve për sezonin 2026/2027, duke shënuar edhe fillimin e përgatitjeve për edicionin e ri të garave në futbollin kosovar.
KosovaPress





