Rregullat historike të BE-së për përmbajtjen e paligjshme digjitale hynë sot në fuqi me gjigantët e internetit si Google, Amazon dhe rrjeti social X, i njohur më parë si Twitter, duke rrezikuar gjoba të mëdha me vlerë deri në 6% të xhiros vjetore në mbarë botën për shkelje.
Akti i Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian (DSA) zbatohet për 19 motorë kërkimi dhe platforma shumë të mëdha me më shumë se 45 milionë përdorues aktivë.
Kompanitë do të duhet të heqin më shpejt pornografinë e fëmijëve dhe propagandën terroriste dhe gjithashtu ta bëjnë më të lehtë për përdoruesit që të raportojnë përmbajtje të tillë.
Tregjet online si Amazon tani janë të detyruara të heqin produktet e falsifikuara ose lodrat e rrezikshme në masën më të mirë të mundshme dhe të informojnë konsumatorët nëse një produkt i paligjshëm është blerë.
Për më tepër, kompanitë duhet t’i raportojnë rregullisht Komisionit Evropian për shkallën në të cilën platformat e tyre rrezikojnë shëndetin mendor ose lirinë e shprehjes.
Duke përshëndetur rregullat e reja, komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton tha në një video në X se ekipi i tij do të ishte shumë rigoroz për të kontrolluar nëse platformat sistematike janë në përputhje.
Elon Musk, zotëruesi i X, dhe marrësi i paralajmërimeve të shumta publike të BE-së për detyrimet rregullatore, i tha Breton se kompania e tij “po punonte shumë për këtë”.
Nëntëmbëdhjetë platformat dhe motorët e kërkimit të përfshira fillimisht janë Zalando, Wikipedia, Booking.com, Tik Tok, X, Facebook, Amazon Marketplace dhe App Store i Apple, si dhe Alibaba AliExpress, Google Play, Google Maps, Google Shopping, Instagram, LinkedIn, Pinterest, Snapchat, YouTube dhe motorët e kërkimit Google dhe Bing.