Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka hedhur poshtë pretendimet se skuadra e tij po përballet me presion shtesë si një nga favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës, duke theksuar se kampionët në fuqi janë mësuar të luajnë me këtë status.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, Scaloni u shpreh se ekipi i tij ka treguar vazhdimisht karakter edhe në momentet më të vështira.
“Ky ekip ka disa vite që luan si favorit dhe gjithmonë ka luajtur mirë. Por kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, lufton me zemër, vendosmëri dhe karakter… dhe ky ekip i ka këto cilësi”, deklaroi Scaloni.
Ai shtoi se jo gjithmonë është e mundur të zhvillohet ndeshja më e mirë, por sipas tij, fryma e garës dhe sakrifica bëjnë diferencën.
“Mund të luash më mirë, por nëse nuk e bën këtë, nëse nuk e ke atë karakter, je jashtë”, theksoi ai.
Argjentina, kampione në fuqi e botës, do të përballet sot me Egjiptin në fazën e 1/8 së finales, pasi siguroi kualifikimin me një fitore të vështirë ndaj Kepit të Gjelbër vetëm pas vazhdimeve.
Scaloni pranoi se ngarkesa e madhe e ndeshjeve gjatë sezonit ka lënë gjurmë te futbollistët, por vlerësoi se skuadra vazhdon të jetë në nivelin e duhur.
“Lojtarët po i ndiejnë pasojat e numrit të madh të ndeshjeve që kanë zhvilluar këtë vit, por niveli i Argjentinës është i pranueshëm. Jemi të kënaqur. Ka gjëra që duhen korrigjuar, por është më mirë t’i korrigjosh kur fiton”, u shpreh ai.
Trajneri argjentinas konfirmoi gjithashtu se kapiteni Lionel Messi është në gjendje të mirë fizike dhe do të jetë titullar në përballjen ndaj Egjiptit, pavarësisht se luajti 120 minuta në sfidën e kaluar.
“Ai është mirë, edhe pse në moshën 39-vjeçare luajti 120 minuta ndaj Kepit të Gjelbër. Do të luajë sërish”, deklaroi Scaloni.
Messi ka realizuar shtatë gola në këtë edicion të Kupës së Botës, duke ndarë vendin e parë në listën e golashënuesve me francezin Kylian Mbappe dhe norvegjezin Erling Haaland.
KosovaPress


