​SHBA hakmerret ndaj Gardës Revolucionare të Iranit pas vrasjes së ushtarëve amerikanë në Jordani

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ndërmarrë të dielën sulme ajrore ndaj objektivave të Gardës Revolucionare të Iranit, si kundërpërgjigje për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë në Jordani, më 17 korrik, raporton AP, përcjellë KosovaPress

Operacioni ishte pjesë e një fushate njëjavore, e cila nisi pas përplasjes për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe është shoqëruar me sulme të ndërsjella në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara kanë goditur ura, objekte energjetike dhe caqe të tjera ushtarake në Iran, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj centraleve elektrike dhe impianteve të desalinizimit (heqja e kripës nga uji) në Kuvajt, duke rrezikuar furnizimin me energji dhe ujë në këtë shtet të Gjirit.

Irani ka paralajmëruar gjithashtu zgjerimin e sulmeve, çka ka nxitur reagim dhe paralajmërime nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kuvajti dhe Bahrejni aktivizuan sërish sistemet e mbrojtjes ajrore të dielën, pas njoftimeve për raketa dhe dronë të Republikës Islamike që po afroheshin.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se sulmet kanë shënjestruar objekte bregdetare të vëzhgimit, sisteme të mbrojtjes ajrore, kapacitete detare, si dhe depo raketash dhe dronësh. Sipas saj, qëllimi ishte të dobësohej aftësia e Iranit për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit dhe të goditeshin forcat e Gardës Revolucionare, e cila kontrollon arsenalin balistik të vendit.

Këto sulme janë kryer nga avionë luftarakë dhe raketa lundruese “Tomahawk” të lëshuara nga deti. Një prej objektivave ndodhej në një zonë malore, ku Garda Revolucionare mban baza raketore dhe pajisje të tjera ushtarake.

Irani nuk ka dhënë ende një bilanc të përgjithshëm për dëmet ushtarake të pësuara gjatë fushatës amerikane, e cila ka hyrë në ditën e tetë.

Sipas ushtrisë amerikane, një sulm iranian ndaj një baze në Jordani vrau dy ushtarë amerikanë, la të zhdukur një tjetër dhe plagosi katër të tjerë, të cilët u dërguan në spital.

Që nga fillimi i konfliktit, 16 ushtarakë amerikanë janë vrarë dhe mbi 430 janë plagosur.

AP raporton se autoritetet iraniane thanë të shtunën se sulmet më të fundit amerikane kanë shkaktuar të paktën 50 viktima dhe mbi 500 të plagosur.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU