Që dy muaj nuk kanë marrë rroga stafi mbështetës shëndetësorë të cilët kanë qenë të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndonëse të njëjtit pa rroga, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi vazhdon vizitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër asnjë koment rreth kësaj nga ministri i Financave, Hekuran Murati, raporton Indeksonline.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Ai thotë se sot si anëtar i Komisionit për Shëndetësi, ka takuar disa nga përfaqësuesit e stafit të angazhuar si në ShSKUK po ashtu edhe në vaksinim.
“Mbi 1.000 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë, ende nuk kanë marrë pagat e muajve Mars dhe Prill edhe pse jemi në mes të muajit Maj.
Edhe përkundër faktit që gjithsecili punon me përkushtim dhe zell dhe pa asnjë benefit dhe ditë pushimi, vazhdojnë të injorohen nga shteti që nënkupton Qeveria dhe MSH.
Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të mësuar arsyen e mospagesës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ende nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare.
Për të diskutuar për këtë çështje, sot, si anëtar i Komisionit për Shëndetësi, kam takuar disa nga përfaqësuesit e stafit të angazhuar si në ShSKUK po ashtu edhe në vaksinim.
“Heronjtë e ditëve tona”, kanë nevojë për pagë, mirëqenie dhe respekt, fundja, është detyrim ligjor që të jepet paga për punën e kryer!”, ka shkruar ai./Indeksonline/