Sipas raportimeve të CNN dhe mediave amerikane, sulmi në Islamic Center of San Diego po hetohet si krim i mundshëm urrejtjeje. Dy adoleshentët e dyshuar, të moshës 17 dhe 19 vjeç, u gjetën të vdekur në një automjet pranë xhamisë me plagë të vetëshkaktuara nga arma.
CNN raportoi se në njërën nga armët ishte shkruar gjuhë urrejtjeje anti-muslimane, ndërsa njëri nga të dyshuarit kishte lënë edhe një letër me referenca për “krenari racore”. Autoritetet thanë se nëna e njërit prej të rinjve kishte njoftuar policinë disa orë para sulmit, duke treguar se djali ishte larguar nga shtëpia me armë dhe mund të ishte vetëvrasës.
Nga sulmi mbetën të vrarë tre burra, përfshirë një roje sigurie të xhamisë, i cili sipas policisë ndihmoi që tragjedia të mos kishte më shumë viktima. Fëmijët dhe stafi i shkollës islame brenda kompleksit u evakuuan të sigurt.
Autoritetet federale dhe FBI-ja po vazhdojnë hetimet për motivin e plotë të sulmit./Raporto24/





