Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje për unitet, dashuri dhe solidaritet gjatë mesazhit të tij për Kurban Bajram, të mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik dhe politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, duke kritikuar përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.
Sipas Tërnavës, qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, siç tha ai, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.
“Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, u shpreh ai.
Myftiu bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme të zhvillohet me maturi, pa gjuhë urrejtjeje dhe me respekt ndaj mendimit ndryshe, duke shtuar se vetëm uniteti mund t’i përballojë sfidat e vendit./Raporto24/





