Kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta, kanë bërë që kuadri specialistik mjekësor të ikë nga Kosova në vende të ndryshme të botës. Vetëm për katër vjet nga Kosova kanë ikur mbi 400 mjekë.

Me kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe me pagesë, nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja e ikjes nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.
Kryetarit i Odës së Mjekëve të Kosovës, dr. Pleurat Sejdiut në një prononcim për Telegrafin konfirmoi se largimi i mjekëve po ndodh për shkak të kushteve të punës.
“Gjatë një minisondazhi që e bëjmë me rastin e aplikimit për dokumentin e nevojshëm për punësim në shtetet e BE-së por jo vetëm, shumica janë deklaruar se largohen për shkak të kushteve të punës , pastaj vijnë kualiteti i shkollimit specialistik dhe rrogat” thotë ai.
Po ashtu Sejdiu tregon që mosha e atyre mjekëve të cilët vendosin që veprimtarinë e tyre ta zhvillojnë në ndonjë vend tjetër është kryesisht mosha e mesme.
“Gjatë këtyre 4 viteve të fundit, nga funksionalizimi i OMK-së, janë larguar 454 mjek e kryesisht mosha mesatare e tyre është pak mbi moshën 31 vjeçare”, vazhdon tutje ai.
Ne në disa raste ju kem bërë MSH-së propozime konkrete për rregullimin e kësaj, çështje si përmirësimi i kushteve të punës, mënyra e ngritjes së cilësisë të shkollimit specialistik, ngritja e pagave si dhe precizimi ligjor për punësimin e afër 300 mjekëve të pa punë, por shihet që nuk kemi hasur nga MSH-ja në mirëkuptim apo bashkëpunim rreth kësaj çështje”, përfundon ai.
Ndryshe, sipas të dhënave të publikuara në tetor nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se më 2020 numri i përgjithshëm i të punësuarve në sistemin shëndetësor ishte 13,518. Prej tyre, 3,555 ishin mjekë specialistë, kurse 8,386 infermierë dhe 1,577 staf jomjekësor. Paga bruto e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj./Telegrafi/