Zyra e Kryeministrit të Kosovës ishte “përdhosur” si kurrë më parë në historinë e shtetit të pavarur, pasi ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur që brenda saj ta mirëpriste kriminelin serb nga veriu i Kosovës, Milan Radojiçiq.
Në kohën kur Haradinaj si shef i ekzekutivit të vendit dhe Radojiçiq si nënkryetar i Listës Serbe “haparesheshin” në Zyren e Kryeministrit të Kosovës, krimineli serb dyshohej për rastin e vrasjes së politikanit serb të veriut, Oliver Ivanoviq, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në takimin me Haradinajn, në zyrën e tij si kryeministër i vendit, Radojiçiq ishte shoqëruar nga kryetari i partisë Goran Rakiq – ndonëse ishte “sekret publik” se krimineli serb që kërkohej nga shteti i Kosovës në fakt ishte “kryetari real” i Listës Serbe.
5 vite pas, Radojiçiq veç e ka rritur dozën e të qenurit kriminel i fuqishëm. Ai së fundi del të ketë qenë lideri i grupit terrorist serbë që të dielën nga Manastiri i Bansjkës në Leposaviq sulmuan Policinë e Kosovës, duke e lënë të vrarë një pjestar të saj dhe dy tjerë të plagosur.
Pak muaj para takimit zyrtar me Haradinajn, për të cilin në vitin 2018 kishte shpërndarë komunikatë edhe vetë Qeveria e Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës, njëherit ish-komandant i UÇK’së gjatë luftës dhe Milan Radojiçiq ishin takuar bashkë edhe privatisht në një nga restorantet në qendër të Prishtinës.