Veturat elektrike të Volkswagenit raportohet se në Kinë kanë nisur me shitje më të ngadalshme se që është pritur.
Kompania është përgatitur për kapacitet masiv të prodhimit me dy kompani të tjera partnere – por pas disa muajsh, shitjet e ID.4 vështirë se po e kalojnë njëmijëshin në muaj.
Siç raportohet, VW-ja është “e shqetësuar” për nisjen e dobët, me vetëm 1213 njësi të shitura në muajin maj, që është për 200 më pak se prilli. Që nga shkurti, Volkswageni ka shitur vetëm 5000 njësi të veturës elektrike në Kinë.
Linja e ID.4 ka dy modele dhe do të zgjerohet sivjet edhe me dy modele ID.6.
Kompania raportohet se po punon tani me më pak se 10 për qind të kapacitetit. Ajo ka pasur pritje që të shesë nga 50-60 mijë njësi të secilit model për një vit.
Për dallim nga Kina, Volkswagen ID.4 po shitet më shumë në Evropë.
Si krahasim, Tesla Model Y pati nisur me 6000 njësi të shitura në dy muajt e parë dhe rreth 30 mijë pas pesë muajsh.
Prodhuesi i madh gjerman planifikon të rrisë numrin e dyqaneve në Kinë nga 12 në më shumë se 100 sivjet.