Ka përfunduar edicioni garues në Raiffeisen Ligën e Parë, me xhiron e fundit që solli emocione të mëdha në garën për titull dhe për pozitën që dërgon në barazh.
Vushtrria është shpallur kampione e Ligës së Parë dhe ka siguruar rikthimin direkt në Albi Mall Superligë, pas fitores së madhe në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me rezultat 3:1. Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku e mbylli kampionatin në vendin e parë me 75 pikë.
Takimi nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 13-të me golin e Dardan Jasharit. Megjithatë, Vushtrria reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Fillimisht barazoi në minutën e 51-të, pas një aksioni ku topi përfundoi në rrjetë pas devijimit të Urim Statovcit dhe një ndërhyrjeje të pasuksesshme të mbrojtjes vendase.
Në minutën e 77-të, Urim Statovci realizoi nga pika e bardhë për 2:1, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Erjon Krasniqi shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren dhe rikthimin e madh të Vushtrrisë në elitën e futbollit kosovar pas gjashtë edicionesh.
Në Superligë është rikthyer edhe FC Feronikeli 74, i cili në xhiron e fundit mposhti Ramiz Sadikun në Prishtinë me rezultat 2:0. Golat për skuadrën nga Drenasi u realizuan nga Kreshnik Bahtiri në minutën e 20-të dhe Avni Selmani në minutën e 80-të.
Feronikeli 74 e mbylli sezonin në vendin e dytë me 74 pikë, duke siguruar rikthimin në Superligë pas vetëm një sezoni në Ligën e Parë.
Ndërkohë, Liria siguroi pjesëmarrjen në barazh pas fitores bindëse në udhëtim ndaj Dinamos së Ferizajt me rezultat 5:1. Skuadra prizrenase realizoi të pesë golat në pjesën e parë përmes Dijar Nikqit, që shënoi dy herë, si dhe Muhamed Useinit, Albion Kurtajt dhe Vigan Ademit.
Liria dhe Dinamo e mbyllën kampionatin me nga 71 pikë, por skuadra prizrenase u rendit e treta falë bilancit më të mirë në ndeshjet direkte.
Në anën tjetër, Vëllaznimi, pas humbjes ndaj Vushtrrisë, jo vetëm që mbeti pa rikthim në elitë, por edhe jashtë garës për barazh, duke e përfunduar sezonin me 70 pikë./Raporto24/


