Kryeministri Albin Kurti sonte në televizionin publik ka folur për marrëveshjen që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, tekstin dhe negociatave të këtij dialogu.
Kurti u shpreh se vetë ka pranuar ta nënshkruajë këtë marrëveshje, por është shfaqur edhe destruktiviteti i Serbisë.
“Por sa më aktiv e kreativ që bëhesha, aq më shumë ngjallej rezistenca e palës tjetër që u kurorëza me mos nënshkrim sepse edhe ata e dinë siç e di edhe unë që kjo është de-facto njohje e Kosovës”.
Kurti tha se barazia e palëve është fakt i pacenueshëm. Duke u pyetur se çfarë ka problem me këtë dokument-marrëveshje, ai tha se është fakti që mund të ketë edhe gjëra të tjera që do të mund të përfshiheshin në marrëveshje.
“Por në parim është bazë shumë e mirë dhe mendoj se nuk ka diçka substanciale që e bën këtë marrëveshje të papranueshme, andaj e kam pranuar”.
Kryeministri tha se nuk mund të normalizohen marrëdhëniet pa adresuar çështjet e së kaluarës, e jo vetëm me ato që lidhen me të kaluarën.
“Tashmë në aneks e kemi me urgjencë çështjen e të pagjeturve, e që është urgjente që duhet të adresohet”.
Duke folur për marrëveshjen Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti shpjegoi se edhe pse nuk ka nënshkrim, megjithatë ka marrëveshje. Kjo ngase ndërmjetësi evropian, sipas tij, në këtë rast vetë BE-ja, ka konstatuar një gjë të tillë.
“Jo vetëm kaq, por 27 shtete, në mbledhjen e tyre me 29 shkurt, e kanë pranuar këtë marrëveshje”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se ka indikacione edhe fakte se Serbia po bën shkelje të marrëveshjes. “Por unë pres nga BE e SHBA që sjelljen destruktive të Serbisë, ta gjykojnë e dënojnë”.