Ekonomia e Japonisë është tkurrur me 0.4% në tremujorin që përfundon në shtator, një rënie më e vogël se pritjet e ekonomistëve, të cilët parashikonin një tkurrje prej 0.6%, sipas një ankete të Reuters. Rritja e konsumit qeveritar dhe atij privat ndihmoi në zbutjen e rënies ekonomike.
Në bazë vjetore, Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 1.8%, më butë se parashikimi prej 2.5% tkurrje.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 1.2% krahasuar me tremujorin e dytë, kur kishin shënuar rritje prej 2.3%. Eksportet neto kontribuuan me një rënie prej 0.2 pikë përqindje në GDP. Japonia kishte shënuar ulje të eksporteve për katër muaj me radhë që nga maji, të ndikuara nga tarifat amerikane, edhe pse shtatori solli rikthim në rritje. Tokio dhe Uashingtoni arritën në korrik një marrëveshje tregtare që uli tarifat amerikane mbi eksportet japoneze nga 25% në 15%, me tarifat e reja që hynë në fuqi më 7 gusht.
Konsumi i brendshëm rezultoi faktor kyç në zbutjen e tkurrjes ekonomike. Konsumi qeveritar u rrit me 0.5%, ndërsa ai privat me 0.1% krahasuar me tremujorin paraardhës.
Megjithatë, kërkesa private ishte faktori më i madh negativ për ekonominë këtë tremujor, duke u ulur me 0.4% dhe duke tërhequr poshtë GDP-në me 0.3 pikë përqindje, kryesisht për shkak të rënies së thellë të investimeve në banesa, të cilat pësuan një tkurrje prej 9.4%.
Kërkesa publike ishte pika më e fortë e ekonomisë, me një rritje prej 0.5% nga tremujori i dytë dhe një kontribut pozitiv prej 0.1 pikë përqindje në GDP./Raporto24/


