Rizvanolli prezanton prioritetet energjetike në “French Business Day in Kosovo 2026”

Prishtinë, 05.02.2026 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë si paneliste në edicionin e parë të forumit “French Business Day in Kosovo 2026”, një ngjarje e nivelit të lartë me rreth 50 biznese pjesëmarrëse, e cila synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investues ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe promovimin e Kosovës si një destinacion gjithnjë e më atraktiv për investime ndërkombëtare.


Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve qeveritare, komunitetit diplomatik, organizatave financiare ndërkombëtare, investitorë dhe kompani lidere nga Franca, Kosova dhe rajoni, duke shërbyer si platformë për dialog strategjik, shkëmbim përvojash dhe ndërtim të partneriteteve konkrete.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore dhe e hapur për investime serioze. Ai theksoi se vendi po zgjeron bashkëpunimin tregtar me Evropën dhe rajonin, ndërsa stabiliteti institucional ofron siguri, parashikueshmëri dhe disiplinë fiskale për bizneset.


Në panelin me temën “Tranzicioni energjetik i Kosovës: çfarë është arritur dhe çfarë pritet më pas?”, morën pjesë Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë; Arnaud Daphin, drejtor në AFD – Agjencia Franceze për Zhvillim; Sergiy Maslichenko, udhëheqës i BERZH-it në Kosovë; Nicolas Palissier dhe Lovro Mirkovič nga Akuo Energy për Evropën Qendrore; Moritz Reme, udhëheqës i Zyrës së KfW-së për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Louis Boisgibault, ekspert për tranzicionin energjetik në kabinetin e ministres, i cili ishte edhe moderator i panelit.
Para të pranishmëve, ministrja Rizvanolli prezantoi arritjet dhe prioritetet kryesore në sektorin e energjisë, me fokus në investimet në energji të ripërtëritshme, ngrohjen qendrore, bashkëpunimin rajonal dhe eficiencën e energjisë, të cilat mbeten shtyllat kryesore të politikave energjetike të Kosovës, me synim rritjen e besimit të investitorëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit.
Ajo theksoi se projektet në energji të ripërtëritshme po realizohen përmes procedurave transparente dhe konkurruese, duke përmendur ankandin e parë të energjisë nga era, ku është kualifikuar edhe kompania franceze Akuo Energy. Sipas saj, këto procese kanë rritur besimin e investitorëve dhe kanë forcuar imazhin e Kosovës si një vend i qeverisur me transparencë.
Rizvanolli vuri në pah rëndësinë e zgjerimit të sistemeve të ngrohjes qendrore në qytete të tjera të Kosovës, duke theksuar se studimet e fizibilitetit tashmë janë përfunduar dhe se këto investime do të kontribuojnë në uljen e ngarkesës në sistemin elektroenergjetik, veçanërisht gjatë pikut dimëror, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin e rrjetit.

Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për integrimin e burimeve të ripërtëritshme në rrjet, si dhe rolin kyç të eficiencës së energjisë, duke nënvizuar se Kosova ka hapësirë të konsiderueshme për përmirësim në uljen e konsumit të energjisë dhe rritjen e performancës ekonomike.

Gjatë forumit u diskutuan gjithashtu zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, partneritetet publiko-private si instrument për zhvillim ekonomik, si dhe roli i Kosovës në teknologji dhe inovacion. Pjesëmarrja e institucioneve evropiane dhe kompanive multinacionale dëshmoi interesin në rritje për tregun kosovar.
“French Business Day in Kosovo 2026” shërbeu gjithashtu si platformë për takime B2B dhe B2G, duke hapur mundësi konkrete për bashkëpunime të reja dhe projekte investimi ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Edicioni i parë i këtij forumi vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut ekonomik dhe ndërtimit të partneriteteve afatgjata ndërmjet dy vendeve.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU