Interi befason për të keq në Champions, eliminohet nga Bodo/Glimti

Në Serie A po marshon drejt titullit të kampionit, por në Champions është ndalur shumë herët.

Interi nuk ka avancuar përtej plejofit të fazës nokaut të Ligës së Kampionëve. Për më tepër gjigantin italian e eliminoi skuadra nga Norvegjia, Bodo/Glimt. Pas fitores 3:1 në Bodo javën e kaluar, nënkampioni norvegjez fitoi edhe të martën mbrëma në Milano, 2:1.

Pjesa e parë nuk dha gola, ndonëse u dominua nga skuadra italiane.

Pas një gabimi të rëndë të Manuel Akanjit, Bodo/Glimti kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 58-të. Realizator ishte Jens Petter Hauge. Ky gol trimëroi norvegjezët që në minutën e 72-të realizuan aksion të bukur që u konkretizua me gol nga Hakon Evjen.

E tëra që bëri Interi ishte të shënonte një gol. Alessandro Bastoni shënoi në minutën e 76-të, pas një tollovie në zonë.

Tani Interi mund të fokusohet plotësisht në garën për titull në Itali, ku ka dhjetë pikë më shumë se përcjellësi i parë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU