Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka reaguar pas intervistës së fundit të ish-trajnerit Xavi Hernandez, duke i dalë në mbrojtje drejtorit sportiv të klubit, Deco.
Në një deklaratë për mediat, Flick theksoi se ai dhe Deco po punojnë maksimalisht për suksesin e klubit katalanas, duke treguar mbështetje të plotë për drejtuesin sportiv në një moment kur e ardhmja e tij në klub është vënë në diskutim, përcjell KosovaPress.
Debati është ndezur pas intervistës së Xavit, i cili ka bërë disa deklarata të forta lidhur me mënyrën se si është menaxhuar klubi dhe vendimet e drejtuesve gjatë kohës kur ai ishte trajner. Komentet e tij kanë ardhur në një periudhë të ndjeshme për klubin, pasi po afrohen zgjedhjet për president të Barcelonës.
Në këtë garë pritet të përballet aktualisht presidenti Joan Laporta me kandidatin tjetër Victor Font, ndërsa disa deklarata të fundit të Xavit mund të ndikojnë edhe në klimën politike brenda klubit.
Në të njëjtën kohë, marrëdhënia mes Flick dhe Xavit duket se mbetet pozitive, pasi ish-trajneri i Barcelonës ka treguar se ata vazhdojnë të komunikojnë dhe kanë respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin.
“Ne jemi kolegë dhe kemi një marrëdhënie të mirë. E kam vizituar, jemi takuar, por është një çështje private. E di të vërtetën dhe po e mbaj për vete. Nuk do ta zbuloj këtu” – ka thënë Flick.
Pavarësisht polemikave jashtë fushës, Flick ka zgjedhur të fokusohet te stabiliteti i skuadrës dhe te puna e përditshme në klub.






