Barcelona synon yllin 70 milionësh të Interit

Barcelona nuk e ka humbur shpresën për transferimin e mbrojtësit të Interit, Alessandro Bastoni, megjithëse klubi italian nuk është i gatshëm ta shesë lojtarin për më pak se 70 milionë euro.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Interi nuk po e konsideron aktualisht largimin e mbrojtësit të kombëtares italiane gjatë afatit kalimtar të verës, por drejtuesit e klubit mund të ulen në bisedime nëse mbërrin një ofertë rreth kësaj shume. Bastoni ka kontratë me klubin nga Milano deri në qershor të vitit 2028.

Interesi i Barcelonës për 25-vjeçarin është rritur javët e fundit dhe thuhet se drejtori sportiv i klubit katalanas, Deco, tashmë ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e lojtarit për të diskutuar një transferim të mundshëm.

Spekulimet për një kalim të mundshëm të Bastonit në “Camp Nou” janë shtuar edhe pas incidenteve në Serie A, ku mbrojtësi italian ka qenë në qendër të kritikave dhe reagimeve të tifozëve në disa stadiume të Italisë pas një episodi në ndeshjen mes Interit dhe Juventusit që çoi në përjashtimin me karton të kuq të Pierre Kalulu.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU