Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përgëzuar kapitenin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, për arritjen e tij të jashtëzakonshme në futbollin spanjoll.
Në një postim në Facebook, Ademi vlerësoi Muriqin për vendosjen e rekordit të golave me klubin RCD Mallorca, që garon në La Liga, një nga ligat më të forta në botë.
“Me përkushtim, punë të palodhshme dhe shpirt luftarak, Vedati po lë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij klubi dhe në La Liga,” ka shkruar Ademi.
Ai theksoi se kjo arritje bëhet edhe më e veçantë pasi Muriqi ka tejkaluar një emër legjendar si Samuel Eto’o.
Sipas Ademit, Muriqi jo vetëm që është golashënuesi më i mirë i Kombëtares së Kosovës, por edhe një ambasador i denjë i vendit në arenën ndërkombëtare.
“Me golat dhe paraqitjet e tij, Vedati është kthyer në simbol krenarie për Kosovën,” përfundoi ai./Raporto24/


