Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë vizitës së tij zyrtare në Strasburg ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare, ku në fokus ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës.
Ai është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin ka diskutuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe sfidat aktuale në këtë drejtim.
Sipas njoftimit, Konjufca ka theksuar se procesi është përmbyllur në aspektin institucional, duke rikujtuar vlerësimin pozitiv të Asamblesë Parlamentare se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për anëtarësim.
Ai ka nënvizuar se vonesat lidhen me dinamika politike jashtë kornizës së organizatës, duke shprehur shqetësimin për ndikimin e tyre në besueshmërinë e proceseve dhe në të drejtat e qytetarëve të Kosovës.
Në këtë kontekst, ai ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Gjatë vizitës, Konjufca është takuar edhe me Presidenten e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Petra Bayr, të cilën e ka uruar për detyrën dhe e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Tutje, ai ka vlerësuar rolin e Asamblesë Parlamentare në trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim, duke theksuar se procesi teknik është përmbyllur dhe se ekziston mbështetje e gjerë politike brenda saj, e reflektuar edhe në 82% të votave në favor të anëtarësimit të Kosovës.
Po ashtu, ai ka potencuar përkushtimin e Kosovës për të avancuar standardet demokratike dhe për të mbetur partnere konstruktive në institucionet evropiane.
“Takimet në Strasburg përfshinë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, z. Mathieu Mori, si dhe përfaqësues të grupeve politike në Asamblenë Parlamentare: z. Frank Schwabe, President i Grupit socialist, demokrat dhe të gjelbërve (SOC); z. Iulian Bulai, President i Grupit ALDE; dhe z. Knut Abraham, zv.president i EPP-së dhe shef i delegacionit gjerman në APKE, ku u diskutua ecuria e procesit të anëtarësimit dhe hapat e mbetur drejt vendimmarrjes përfundimtare. Po ashtu, Zëvendëskryeministri Konjufca u takua edhe me z. Piero Fassino, Kryetar i Nënkomitetit për Ballkanin Perëndimor të APKE-së. Gjatë një mëngjesi pune me ambasadorë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, u diskutua rëndësia e anëtarësimit për qytetarët e Kosovës, veçanërisht në aspektin e qasjes në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Zëvendëskryeministri Konjufca ritheksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përforconte mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të rriste besimin në institucionet demokratike dhe do të kontribuonte në avancimin e mëtejmë të Kosovës në rrugën e saj evropiane.”, thuhet në njoftim.





