​Amerika planifikon t’i tërheq 5 mijë ushtarë të saj nga Gjermania

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërheqin rreth 5 mijë trupa të veta nga Gjermania brenda gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm, njoftoi Pentagoni të premten në mbrëmje, sipas orës lokale në kryeqytetin Washington.

Ky vendim u pa si një përmbushje e “kërcënimit” të presidentit Donald Trump ndërsa ai përplaset me kancelarin gjerman Friedrich Merz, lidhur me luftën e SHBA-së me Iranin, raporton AP, përcjellë KosovaPress.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha më herët gjatë javës se do të tërhiqte disa trupa nga aleati i NATO-s, pasi kryeministri gjerman tha se SHBA po “poshtërohej” nga udhëheqja iraniane dhe kritikoi mungesën e strategjisë së Uashingtonit në luftë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha në një deklaratë se “vendimi vjen pas një rishikimi të plotë të pozicionimit të forcave të Departamentit në Evropë dhe merr parasysh kërkesat e teatrit dhe kushtet në terren.”

Gjermania strehon disa objekte ushtarake amerikane, përfshirë selinë e komandave për Evropën dhe Afrikën, bazën ajrore Ramstein dhe një qendër mjekësore në Landstuhl, ku janë trajtuar të plagosurit nga luftërat në Afganistan dhe Irak. Në këtë vend evropian ndodhen gjithashtu raketa bërthamore amerikane.

Numri i trupave që do të largohen nga Gjermania përbën 14% të rreth 36,000 ushtarëve amerikanë të stacionuar atje.

Lajmi për tërheqjen e trupave u pa nga opozita amerikane, por edhe ekspertë të sigurisë, si veprim do t’i shërbejë presidentit rus Vladimir Putin dhe do të dobësojë interesat e sigurisë së SHBA-së.

“Tërheqja sugjeron se angazhimet amerikane ndaj aleatëve tanë varen nga humori i presidentit,” tha senatori Jack Reed nga Rhode Island, demokrati kryesor në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura. “Presidenti duhet ta ndalojë menjëherë këtë veprim të pamenduar përpara se të shkaktojë pasoja të pakthyeshme për aleancat tona dhe sigurinë kombëtare afatgjatë”.

Bradley Boëman, studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, tha se prania ushtarake amerikane në Gjermani dhe në pjesë të tjera të Evropës “jo vetëm që forcon parandalimin ndaj agresionit të mëtejshëm nga Kremlini, por gjithashtu lehtëson projeksionin e fuqisë ushtarake amerikane në Mesdhe, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.”

Trump i shmangu pyetjet e gazetarëve për tërheqjen e këtyre trupave, të premten mbrëma, ndërsa hipte në Air Force One në Ocala, Florida, pas një tubimi për të promovuar agjendën e tij ekonomike.

Ai pati bërë një kërcënim të ngjashëm gjatë mandatit të tij të parë, duke thënë se do të tërhiqte rreth 9,500 nga rreth 34,500 trupa amerikane të stacionuara atëherë në Gjermani, por nuk e nisi procesin asnjëherë. Presidenti demokrat Joe Biden e ndaloi zyrtarisht planin menjëherë pasi mori detyrën në vitin 2021.

Trump, i njohur për qëndrimet e tij të paqëndrueshme, sipas AP-së, ka folur prej vitesh për uljen e pranisë ushtarake amerikane në Gjermani dhe ka kritikuar NATO-n për refuzimin për të ndihmuar Uashingtonin në luftë, e cila filloi më 28 shkurt me sulme amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara shkroi të mërkurën në rrjetet sociale se SHBA po shqyrtonte mundësinë e reduktimit të trupave në Gjermani, me një “vendim përfundimtar” që do të merret së shpejti. Ai u mor edhe të enjten me Merz, teksa shkroi se udhëheqësi gjerman duhet “të kalojë më shumë kohë duke i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe duke rregulluar vendin e tij të dëmtuar, sesa të merret me Iranin”.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU